Life Style
Nga Oscar në Osc-HER: Për herë të parë, ndryshohet statuja e çmimeve prestigjoze

Në gjithë historinë e çmimeve Oscar, për herë të parë këtë vit ka më shumë kandidate gra. Prandaj pak para ceremonisë, si një formë për të mbështetur gratë në kinematografi, ODEON Cinemas prodhoi një gamë statujash të quajtura Osc-HER, që ndonëse nuk do të përdoren në eventin e famshëm, përcollën një frymë pozitive.
Që nga fillimi i Oscar në vitin 1927, vetëm 10.7% e të gjithë fituesve kanë qenë gra. E para ishte Janet Gaynor në 1929-n për rolin e saj në filmin “Seventh Heaven”. Për këtë arsye, ODEON krijoi tri versione statujash: Janet Gaynor, si e para grua që rrëmbeu çmimin prestigjoz, Lady Gaga (A Star is Born) dhe Olivia Colman (The Favourite), ku këto dy të fundit janë ndër pretendentet kryesore për çmimin “Aktorja më e mirë në rol protagonist”, krahas Glenn Close (The Wife), Melissa McCarthy (Can You Ever Forgive Me?) dhe Yalitza Aparicio (Roma).
Nuk është hera e parë që ODEON Cinemas mbështet aktorët, pasi në 2016-n përkrahu Leonardo DiCaprion – që mezi e mori një Oscar – duke modeluar emrin.
Për kulturë më shumë: Pasi u nderuan filmat më të mirë për vitin 1927 dhe 1928, ceremonia e parë e Academy Awards u mbajt më 16 maj 1929. Thuhet se në atë kohë, drejtori artistik i kompanisë mediatike Metro-Goldwyn-Mayer (MGM), Austin Cedric Gibbons, u ngarkua që të dizenjonte statujën. Në nevojë të një modeli, gruaja e tij e ardhshme Dolores del Río e prenzatoi me aktorin dhe regjisorin meksikan, Emilio Fernández. Fernández u bind që të pozonte nudo për statujën që sot njihet si Oscar.
