Connect with Us

Studimi/Një gjumë i keq natën, dëmton rëndë kujtesën dhe gjendjen emocionale

Blog

Studimi/Një gjumë i keq natën, dëmton rëndë kujtesën dhe gjendjen emocionale

Publikuar

-

pasojat e fshehta te pagjumesise

Filozofi i Mesjetës, Toma Akuini shkroi dikur se “pikëllimi mund të lehtësohet nga një gjumë i mire”. Sot shkencëtarët po konstatojnë, se ai nuk ishte shumë larg të vërtetës. Një studim i publikuar muajin e shkuar në revistën “Current Biology”, tregon se një gjumë i keq gjatë natës – konkretisht një gjumi i shqetësuar, me lëvizjen e shpejtë të syve (faza REM) – ndikon negativisht në funksionin e trurit, përfshirë edhe punën e amigdalës. 

Ajo është një bërthamë me madhësinë e një bajameje, e vendosur thellë brenda lobeve temporale të trurit, dhe është përgjegjës për konsolidimin e kujtimeve për mësimin afatgjatë, si dhe përpunimin dhe ruajtjen e kujtimeve të lidhura me ngjarje që shkaktojnë emocione të forta, si pikëllimi, sikleti, frika dhe ankthi. 

Pas zgjimit nga gjumi, vullnetarët në studim që përjetuan një lloj gjumi të ndërprerë REM, ishin më reaguas ndaj ngjarjeve emocionale të një dite më parë, sesa individët që kishin pushuar më mirë, të cilët i etiketuan ngjarjet e një dite më parë si të një rëndësie më të vogël emocionale, nga sa mendonin në fillim.

Ne kemi qenë prej kohësh të vetëdijshëm, se një gjumë i mirë sjell një gjendje më të mirë mendore dhe shpirtërore, rrit përqendrimin dhe forcon aftësinë gjykuese. Ndërkohë, shkenca ka vërtetuar se gjumi luan një rol jetik në ruajtjen e kujtesës. Ajo që ne nuk e kemi ditur qartë, të paktën deri më tani, është se si këto procese të gjumit dhe kujtesës, janë të lidhura potencialisht mes tyre, dhe se si një ndikim negativ tek njëri, shkakton një ndikim mbi tjetrin. 

Autorët e studimit, thonë se edhe një natë e vetme privimi nga gjumi, mund të shkaktojë prodhimin e beta-amiloidit, një produkt metabolik që grumbullohet në strukturat e trurit, përfshirë edhe amigdalën, që rregullon gjendjen shpirtërore, emocionet, kujtesën etj dhe aftësinë për të mësuar, dhe që ndikon në zhvillimin ose jo të sëmundjes së Alzheimerit. 

Amigdalat ruajnë shtigjet nervore deri në hipotalamus, që rregullon sisteme të rëndësishme biologjike, siç është gjumi, cikli menstrual dhe ritmi cirkadian, dhe ato bashkëveprojnë me hipokampusin, një përbërës kryesor në përpunimin e kujtesës. 

Në fakt, qarqet nervore që lidhin hipokampusin në rajone të tjera të trurit, konsiderohen si një “depo” për ruajtjen e kujtimeve episodike, konkretisht ngjarjeve, vendndodhjes së tyre dhe emocioneve që lidhen me to. Që kujtesa jonë të funksionojë siç duhet, duhet të ndodhin tre procese jetike:

Përvetësimi:të mësuarit, ose të përjetuarit e diçkaje të re

Konsolidimi:integrimi i informacionit të ri në tru

Ndërmendja:Qasja tek informacioni, pasi ai është ruajtur

Përvetësimi dhe ndërmendja ndodhin kur dikush është zgjuar; ndërsa konsolidimi kur njeriu është në gjumë. Kur jemi zgjuar, truri reagon ndaj stimujve të jashtëm, dhe kodon kujtime të reja, që në atë moment janë të paqëndrueshme dhe i nënshtrohen harresës. Gjatë gjumit truri ka një ekspozim më të vogël ndaj stimujve të jashtëm, prandaj siguron kushte optimale për konsolidimin e kujtesës, e cila forcon dhe integron memorjen e re në rrjetet ekzistuese të njohurive.

Dikur, ekspertët mendonin se gjumi thjesht mbronte kujtesën nga ndërhyrjet e stimujve të jashtëm. Tashmë e dimë që REM dhe gjumi i ngadaltë (SWS), kanë role më aktive në konsolidimin e kujtesës, me lloje të ndryshme të kujtimeve që përpunohen gjatë fazave të ndryshme të gjumit. 

Një studim i publikuar vitin e shkuar , tregon se një natë pa gjumë mund të dëmtojë kujtesën në vendin e punës, çka është e rëndësishme për arsyetimin dhe planifikimin. Për të shmangur këtë gjë, ja cilat jnë disa nga këshillat për përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së gjumit:

Nëse ushtroheni fizikisht, bëjeni këtë më herët gjatë ditës, dhe jo pak orë para gjumit.

Ulni ose shmangni stimuluesit si kafeina gjatë pasditeve të vona, dhe alkoolin në mbrëmje.

Kufizojeni dremitjen e drekës në maksimumi 30 minuta; dhe mos flini pas mesditës.

Shkoni në shtrat dhe zgjohuni thuajse në të njëjtën kohë çdo ditë, përfshirë fundjavat dhe pushimet.

Relaksohuni dhe pastroni mendjen nga shqetësimet para gjumit; lexoni një libër, dëgjoni muzikë të qetë.

Mbajeni dhomën e gjumit më të freskët gjatë natës, dhe mbyllni perdet për të krijuar errësirë thuajse të plotë.

Sigurohuni që dysheku juaj të jetë i rehatshëm dhe provoni të flini me 1, dhe jo 2 apo 3 jastëkë.

Mos hani apo pini shumë pak para gjumit në mbrëmje.

Shmangni përdorimin e kompjuterit, tabletit apo smartfonit, menjëherë para se të shkoni në shtrat. 

Drita e ekranit e stimulon trurin, duke e bërë të vështirë rënien në gjumë./ Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Studimi/Pirja e paracetamolit gjatë shtatëzanisë, i bën fëmijët hiperaktivë, dhe u shkakton probleme me përqendrimin

Publikuar

-

Nga

Një studim i ri nga Universiteti i Bristolit në Britaninë e Madhe, u shtohet provave që lidhen me efektet e mundshme anësore nga pirja e e paracetamolit gjatë shtatëzanisë. Hulumtimi i botuar në revistën “Paediatric and Perinatal Epidemiology”, shqyrtoi nëse ka ndonjë ndikim mes pirjes së paracetamolit në mesin e shtatzënisë, dhe sjelljes së pasardhësve nga 6 muajsh në 11 vjeç, memories dhe nivelin të inteligjencës deri në moshën 17-vjeçare. 

Paracetamoli, përdoret zakonisht për të lehtësuar dhimbjen gjatë shtatzanisë, dhe rekomandohet si një kurë në shumë vende. Studiuesit e Universitetit të Bristol, shqyrtuan në studimin e tyre 14.000 fëmijë. Kur ishin në muajin e shtatë të shtatzanisë, 43 përqind e nënave të tyre, thanë se kishin pirë “ndonjëherë” ose më shpesh paracetamol gjatë 3 muajve të mëhershëm. 

Studiuesit ekzaminuan më pas rezultatet e nivelit të kujtesës së fëmijëve, nivelit të inteligjencës IQ, dhe testet e zhvillimit parashkollor, temperamentit dhe sjelljes. Ata gjetën një lidhje midis pirjes së paracetamolit dhe hiperaktivitetit, por edhe problemeve me përqëndrimin e fëmijëve, si dhe sjelljeve të tjera problematike tek fëmijët e vegjël.

Djemtë duket se ishin më të ndjeshëm se vajzat, ndaj efekteve të mundshme që ka në sjellë ky ilaç. Studimi u drejtua nga profesoresha Xhin Golding. Ajo tha se grupi mori 135 rezultate të ndryshme tek fëmijët e përfshirë në studim. 

“Nga 135 rezultatet që kemi shqyrtuar, ne gjetëm një lidhje me aftësinë njohëse. Ndërkohë 12 prej rezultateve, u shoqëruan me ndryshime në sjellje dhe temperament. Dhe këto lidhje nuk mund të shpjegohen me gjëra të tilla si dhimbja e kokës, shpinës, infeksionet, të ardhurat financiare dhe stili i jetesës. 

Në zbuluam se teksa fëmija rritej, kjo lidhje dobësohej. Ajo ishte më e fortë në mesin e fëmijëve 3-4 vjeç, por zhduket në moshën 8-vjeçare”- deklaroi ajo. Sipas drejtuesit së studimit, fakti që fëmijët i tejkaluan këto sjellje problematike është qetësues. Por ai shtron pyetjen, nëse do të kostatohen lidhje të tjera gjatë viteve të adoleshencës. 

Ndërkohë, sipas Golding është e arsyeshme të sugjerohet që gratë shtatzëna duhet të zvogëlojnë në maksimum konsumimin e ilaçeve, përfshirë ato pa recetë, aty ku është e mundur, pasi asnjë ilaç nuk mund të dëshmohet se është plotësisht i sigurtë për fëmijën, që ndodhet ende në barkun e nënës. “Është më rëndësi, që gjetjet tona të testohen në studime të tjera”- përfundoi studiuesja.  / Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Dilema/Për sa orë gjumë kemi nevojë?

Publikuar

-

Nga

Kur kemi qenë fëmijë, mund të kemi protestuar dhjetëra here, duke mos dashur të flejmë në drekë. Por si të rritur, e dimë se gjumi është jetik për mirëqenien tonë. Shekspiri e quante gjumin “banjën e ëmbël pas një pune raskapitëse, balsamin e mendjeve të lënduara, ushqimin kryesor në jetë”.

Përtej shprehjeve poetike, gjumi është shumë i rëndësishëm. Një studim i kohëve të fundit me 1.600 njerëz, mbështeti gjetjet e mëhershme se një gjumë i pamjaftueshëm, lidhet me mungesën e vëmendjes, dhe gjykime më të dobëta. Gjithashtu, dihet se mungesa e gjumit, mund të shkaktojë çrregullime bipolare. 

Dhe kemi mësuar së fundmi nga studiuesit në Suedi dhe Gjermani, se një gjumë i pamjaftueshëm, mund të ndikojë madje edhe në mikroflorën e zorrëve tona. Po për sa orë gjumë kemi realisht nevojë? Përgjigja më e zakonshme duket të jetë “8 orë”.  Por sasia e gjumit që na duhet, varet nga rezistenca biologjike dhe nevojat e trupit tonë. 

Udhëzuesi i Fondacionit Kombëtar të Gjumit në SHBA i vitit 2015, rekomandon për adoleshentët 8-10 orë në ditë, por në përgjithësi një diapazon që shtrihet midis 7-11 orëve. Për foshnjat e porsalindura, diapazoni i përshtatshëm është nga 11-18 orë. Për të rriturit, ai varion nga 7-9 orë, dhe për të moshuarit 5-9 orë. 

Pra siç shihet sasia e gjumit për një organizëm të shëndetshëm, ndryshon për grupe të ndryshme, dhe oraret ndryshojnë me kalimin e kohës. Si mund të përcaktoni orët tuaja të gjumit? Ja 3 këshilla praktike:

Këshilla e parë:Nëse jeni “të lodhur, por ende pa stakuar trurin”, gjumi mund t’ju zërë me vështirësi

Në këto kushte, duket sikur i gjithë problemi është se nuk flini mjaftueshëm. Por nëse do të ishit vërtet pa gjumë, tashmë do të ishit përgjumësh. Dhe po të ishit përgjumësh, do të ishit në gjendje të flinit shpejt. Ne i mendojmë si të ngjashme, por ka një dallim midis përgjumjes dhe lodhjes. 

Ne besojmë se lodhja mund të kurohet duke shkuar në shtrat më herët.

Por përpjekja për të fjetur me forcë kur truri juaj nuk është i përgjumur, është si të përpiqesh të biesh në dashuri me dikë që nuk thjesht nuk ju do. Ky sforcim, vetëm sa do t’ju shkaktojë ankth, para se të hiqni dorë. Prandaj, dëgjojeni trupin tuaj. Nëse jeni vërtet përgjumësh, shkoni në shtrat. Nëse jo, merrumi me diçka tjetër, derisa të vijë koha e duhur.

Këshilla e dytë:Nëse përgjumeni shpesh gjatë ditës, nuk po flini mjaftueshëm gjatë natës

Ka disa mënyra për ta korrigjuar këtë. Nëse keni kohë, vendoseni zilen tuaj në mëngjes 30 minuta më vonë, ose shtrihuni të flini 30 minuta më herët. Nëse ju zë gjumi brenda pak minutash, vazhdoni t’i jepni vetes më shumë kohë për të fjetur. 

Nëse tashmë keni mjaft kohë për të fjetur, por ndiheni ende të përgjumur gjatë ditës, mund të keni një çrregullim të gjumi, siç është apnea e gjumit ose narkolepsia. Për këtë mund të testoni veten me Shkallën e Gjumit Epworth. Nëse rezultati është 10 pikë ose më shumë, duhet të këshilloheni me mjekun, pasi këto çrregullime mund të sjellin rreziqe serioze për shëndetin tuaj. 

Këshilla e tretë:Mbani një orar konstant të kohës së gjumit 

Nuk ka të bëjë vetëm me orët që flini, por edhe me cilësinë e atyre orëve. Fjetja rregullisht 7 orë çdo natë, është shumë më e mirë sesa fletja një natë 4 orë, dhe të nesërmen 10 orë. Një orar i çregullt, mund të shkaktojë përgjumje gjatë ditës një dite, dhe pagjumësi ditën tjetër, çka e çorodit trupin tuaj. 

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për gjumin tuaj dhe funksionimin e ditës, është të zgjoheni çdo ditë në të njëjtën kohë. Mos u shqetësoni për vendosjen e një orari strikt fjetjeje.Sapo të futeni në rutinën e rregullt të gjumit dhe zgjimit, trupi juaj do t’ju njoftojë vetë kur duhet të shkoni në shtrat, duke ju bërë të flini gjumë në kohën e duhur./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse ndikon drita e Hënës së plotë mbi gjumin tonë?

Publikuar

-

Nga

Shumë njerëz thonë se kur Hëna është e plotë, ata qëndrojnë zgjuar, ose e kanë të vështirë të flenë normalisht. Tashmë një studim i fundit, i publikuar në revistën “Current Biology”, i mbështet pretendimet e tyre. Në një studim të vogël të 33 njerëzve, studiuesit zbuluan se fazat e Hënës, ndikojnë në cilësinë e gjumit tonë.

Për tre ditë e gjysmë, subjektet e studimit, që i përkisnin moshës 20-74 vjeç, u mblodhen në një laborator, ku u vëzhguan nivelet e hormoneve të tyre, si dhe modelet e gjumit. “Ne zbuluam se kur afron faza e Hënës së plotë, aktiviteti i elektroencefalogramik (EEG) gjatë gjumit NREM, një tregues i gjumit të thellë, ra me 30 për qind, teksa koha që i duhej subjekteve për të fjetur gjumë u rrit me 5 minuta.

Ndërkohë kohëzgjatja totale e gjumit e vlerësuar me EEG, ishte zvogëluar me 20 minuta. Këto ndryshime, u shoqëruan me një rënie të cilësisë subjektive të gjumit, si dhe me nivele të zvogëluara të melatoninës endogjene, shkruan autorët e studimit.

Duke ditur që njerëzit mund t’i mbajnë zgjuar edhe dritat ndriçuese në rrugë, ne mund të hamendësojmë se një Hënë e plotë, do të kishte në fakt një efekt të ngjashëm. Por pjesa më interesante e studimit, mund të jetë që shqetësimet e gjumit të lidhura me fazat e Hënës, duket se nuk kanë asnjë lidhje me dritën e Hënës.

Në fakt gjatë studimit, shkëlqimi i dritës së Hënës, nuk ishte një faktor ndikues. Subjektet që iu nënshtruan testimit, e kaluan kohën e eksperimentit në një dhomë pa dritare, dhe as që ishin në dijeni se të dhënat e mbledhura do të kishin ndonjë lidhje me fazat e hënës. (Në këtë mënyrë, mund të minimizohen perceptimet apo besimet personale në lidhje me ndikimin e Hënës në gjumin e tyre).

“Ne kemi prova që distanca me fazën më të afërt të Hënës së plotë, ndikon ndjeshëm në gjumin e njeriut, si dhe në nivelet e melatoninës në mbrëmje, kur ato maten në kushte laboratorike të kontrolluara rreptësisht, ku faktorë të tillë si drita dhe perceptimi personal i Hënës mund të përjashtohen si faktorë”- shkruajnë më tej autorët e studimit.

Si reagon trupi i njeriut ndaj diçkaje që nuk është as e dukshme? Një teori, është se kjo është një veti e së kaluarës sonë evolucionare. Ne e dimë që ciklet cirkadiane dhe riprodhuese të disa specieve, janë të lidhura me Hënën. Prandaj, edhe truri i njeriut mund të ketë një version të këtij tipari.

“Ne nuk e dimë nëse njerëzit e kanë ende atë, apo arsyen pse”- tha për CNN Kristian Kajohen nga Spitali Psikiatrik i Universitetit të Bazelit në Zvicër, autori kryesor i studimit. Ky efekt mund të ndryshojë nga burrat tek gratë, thekson një studim i ngjashëm i kryer pak kohë më parë në Angli.

Në atë studim, 205 njerëz u vëzhguan ndërsa flinin (gjithashtu në dhoma pa dritare) gjatë ciklit hënor. “Analizat e vëçanta për burrat dhe gratë, treguan se tek gratë koha totale e gjumit, Faza 4 e gjumit dhe gjumi REM, u zvogëluan kur gjumi përkonte me fazën e Hënës së plotë, ndërsa tek burrat kohëzgjatja e REM, u rrit rreth fazës së Hënës së plotë”- shkruan më tej autorët e këtij studimi.

Asnjë studim nuk është kryer mbi efektin që mund të ketë mosha apo rrethana të tjera mbi cilësinë e gjumit, në raport me fazat e Hënës. Prandaj ka ende shumë për të mësuar. Për ta kuptuar këtë fenomen, shkencëtarët do të duhet të mbledhin më shumë të dhëna nga më shumë njerëz dhe për një periudhë më të gjatë kohore.

LEXO TE PLOTE