Connect with Us

Ja çfarë zbulon mbi personalitetin tuaj psikologjia e mediave sociale

Blog

Ja çfarë zbulon mbi personalitetin tuaj psikologjia e mediave sociale

Publikuar

-

A i përdorni mediat sociale? Nëse po, çfarë lloj gjërash postoni? Fotografitë e darkës tuaj, deklarata politike, selfi, përditësimet e marrëdhënieve? Shumica prej nesh i përdorin mediat sociale, për të folur me fëmijët tanë, për të rritur ndërgjegjësimin mbi një kauzë, apo edhe për të shpallur dashurinë tonë të madhe ndaj partnerit. 

Për pasojë, është e natyrshme që psikologët kanë filluar t’i përdorin mediat sociale, si një mënyrë për të depërtuar në mendjet tona. Por ç’mund të na thotë psikologjia e mediave sociale? Psikologjia e mediave sociale, mund të zbulojë në fakt më shumë sesa mendojmë ose duam ne.

Na pëlqen apo jo, sa herë që postojmë në mediat sociale, pas postimeve fshihet një axhendë e caktuar. Dhe këto axhenda janë më të lehta të identifikohen në disa postime sesa tek të tjerat.

Për shembull, selfit. Pse njerëzit postojnë foto të vetes së tyre që janë filtruar më parë, dhe që kanë manipuluar të gjithë realitetin e fotografuar nga ata vetë? Përgjigja: Që të tjerët t’i komplimentojnë, dhe në këtë mënyrë ata forcojnë vetëvlerësimin e tyre. Sa herë që postojmë, zbulojmë diçka mbi personalitetin tonë. Pra pse postojmë në mediat sociale? Sipas psikologëve, ekzistojnë disa arsye:

Nevoja për t’u vetë-shprehur, duke rrefyer histori, shaka, duke u ankuar, duke zbuluar informacione personale.

Nevoja për t’u ndjerë të vlefshëm: postimi i selfi-ve, kërkimi i vëmendjes , dëshira për t’u pranuar nga të tjerët.

Komunikimi, lidhja me familjen, me miqtë.

Ndarja e informacionit jopersonal: postimi i punëve aktuale, lajmeve, ngjarjeve politike.

Ne i përdorim këto arsye, për të zbuluar informacione në mediat sociale. Pra, ne flasim mbi aktivitetet tona shoqërore, marrëdhëniet tona të rëndësishme, arritjet, interesat intelektuale, dietën ushqimore dhe ushtrimet fizike, dhe jetën e përditshme. Një studim mori në shqyrtim Pesë Personalitete të Mëdha, dhe postimet e tyre në mediat sociale:

Tipat e hapur (ekstrovertët)

Këta kanë prirjen t’i përdorin mediat sociale, për të postuar gjëra në lidhje me jetën e tyre sociale. Ekstrovertët, pëlqejnë të postojnë fotografi të aventurave të tyre të veçanta. Kanë zakonisht një numër të madh miqsh, dhe mediat sociale i përdorin kryesisht për të komunikuar.

Tipat neurotikë

Kanë tendencën të flasin në internet, mbi dramat e tyre personale dhe emocionale. Janë në kërkim të mbështetjes emocionale dhe vlefshmërisë, që mund të mos e marrin në jetën reale. Nuk kanë shumë miq në rrjet, por ndajnët gjëra tepër personale më te tjerët, pasi u duhet një përgjigje.

Tipat mendje-hapur

Këtyre njerëzve, u pëlqen t’i përdorin mediat sociale për të shkëmbyer ide të reja. Kjo nuk është aspak befasuese, pasi të qënit mendje-hapur shoqërohet me kreativitet, kuriozitet dhe një mendje intelektuale. 

Tipat konsensualë dhe bashkëpunues

Këta njerëz, kanë një sjelle bashkëpunuese dhe ndërmjetësuese. Atyre nuk u pëlqen sjellja e njerëzve që kërkojnë vëmendje, apo njerëzit që u bëjnë keq të tjerëve. Kur postojnë diçka, synimi i tyre kryesor është thjesht komunikimi. 

Tipat e ndërgjegjshëm

Nga të gjitha llojet e Pesë Personaliteteve më të Mëdha, njerëzit e kësaj kategorie postojnë më pak në mediat sociale. Sidoqoftë, edhe kur e bëjnë këtë, ata nuk postojnë për të tërhequr vëmendjen ose pranimin nga të tjerët. Ata kanë prirjen t’u bëjnë ‘share’ temave të sigurta si ato sociale dhe problematikat aktuale.

Çfarë tregon postimi i fotove në mediat sociale?

Një studim i ri, shqyrtoi ndryshimet midis postimit të selfit nga meshkujt dhe femrat, dhe tipareve të personalitetit që ata ndajnë. Ai tregoi se burrat që postonin shpesh selfi, kishin më shumë shkallë të narcizmit dhe psikopatisë në testin e kryer.  Sidoqoftë, psikopatia nuk ka lidhje me modifikimin e fotove, ndërsa narcizmi po. 

Sa për gratë, selfit janë të lidhura me auto-objektivizimin, që do të thotë të vlerësosh veten vetëm për pamjen tënde, por jo për arritjet e tua. Kjo nuk është aspak befasuese në botën e sotme, ku pamja e një personi duhet të jetë e përsosur. Nëse një grua poston shpesh selfi, kjo flet për një nevojë që ajo ka për njohje dhe pranim nga të tjerët, si dhe për një mani të madhe për t’u dukur.

Çiftet

Njerëzit që postojnë fotot të vetes me partnerin e tyre, po i thonë me zë shumë të lartë botës:”Më duan, jam e denjë për këtë partner të mahnitshëm, shih sa e lumtur që jam!”. Njerëzit që bëjnë shpesh postime të tilla, ndoshta nuk kanë pasur më parë fat në dashuri, ose po përpiqen t’i thonë diçka ish-partnerit. Por njerëzit që janë të lumtur në një marrëdhënie, nuk kanë nevojë t’ua tregojnë atë të tjerëve.

Familja dhe fëmijët

Ju jeni të lumtur me jetën tuaj, fëmijët dhe familja juaj janë arritjet tuaja për të cilat jeni krenarë.

Foto në natyrë 

Tregojnë se jeni të kënaqur me jetën në përgjithësi. Por mund të tregojë gjithashtu dëshirën për një ritëm më të ngadaltë në jetë.

Fotot të ushqimeve, ose duke ngrënë 

A postoni gjithnjë foto të ushqimeve që porosisni në restorante, apo që keni gatuar në shtëpi? Në përgjithësi mund të tregojë që e vlerësoni ushqimin e mire. Por nëse e teproni me to, kjo tregon mungesë të vetëvlerësimit./ Përshtatur nga CNA.al

 

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Studimi/Pirja e paracetamolit gjatë shtatëzanisë, i bën fëmijët hiperaktivë, dhe u shkakton probleme me përqendrimin

Publikuar

-

Nga

Një studim i ri nga Universiteti i Bristolit në Britaninë e Madhe, u shtohet provave që lidhen me efektet e mundshme anësore nga pirja e e paracetamolit gjatë shtatëzanisë. Hulumtimi i botuar në revistën “Paediatric and Perinatal Epidemiology”, shqyrtoi nëse ka ndonjë ndikim mes pirjes së paracetamolit në mesin e shtatzënisë, dhe sjelljes së pasardhësve nga 6 muajsh në 11 vjeç, memories dhe nivelin të inteligjencës deri në moshën 17-vjeçare. 

Paracetamoli, përdoret zakonisht për të lehtësuar dhimbjen gjatë shtatzanisë, dhe rekomandohet si një kurë në shumë vende. Studiuesit e Universitetit të Bristol, shqyrtuan në studimin e tyre 14.000 fëmijë. Kur ishin në muajin e shtatë të shtatzanisë, 43 përqind e nënave të tyre, thanë se kishin pirë “ndonjëherë” ose më shpesh paracetamol gjatë 3 muajve të mëhershëm. 

Studiuesit ekzaminuan më pas rezultatet e nivelit të kujtesës së fëmijëve, nivelit të inteligjencës IQ, dhe testet e zhvillimit parashkollor, temperamentit dhe sjelljes. Ata gjetën një lidhje midis pirjes së paracetamolit dhe hiperaktivitetit, por edhe problemeve me përqëndrimin e fëmijëve, si dhe sjelljeve të tjera problematike tek fëmijët e vegjël.

Djemtë duket se ishin më të ndjeshëm se vajzat, ndaj efekteve të mundshme që ka në sjellë ky ilaç. Studimi u drejtua nga profesoresha Xhin Golding. Ajo tha se grupi mori 135 rezultate të ndryshme tek fëmijët e përfshirë në studim. 

“Nga 135 rezultatet që kemi shqyrtuar, ne gjetëm një lidhje me aftësinë njohëse. Ndërkohë 12 prej rezultateve, u shoqëruan me ndryshime në sjellje dhe temperament. Dhe këto lidhje nuk mund të shpjegohen me gjëra të tilla si dhimbja e kokës, shpinës, infeksionet, të ardhurat financiare dhe stili i jetesës. 

Në zbuluam se teksa fëmija rritej, kjo lidhje dobësohej. Ajo ishte më e fortë në mesin e fëmijëve 3-4 vjeç, por zhduket në moshën 8-vjeçare”- deklaroi ajo. Sipas drejtuesit së studimit, fakti që fëmijët i tejkaluan këto sjellje problematike është qetësues. Por ai shtron pyetjen, nëse do të kostatohen lidhje të tjera gjatë viteve të adoleshencës. 

Ndërkohë, sipas Golding është e arsyeshme të sugjerohet që gratë shtatzëna duhet të zvogëlojnë në maksimum konsumimin e ilaçeve, përfshirë ato pa recetë, aty ku është e mundur, pasi asnjë ilaç nuk mund të dëshmohet se është plotësisht i sigurtë për fëmijën, që ndodhet ende në barkun e nënës. “Është më rëndësi, që gjetjet tona të testohen në studime të tjera”- përfundoi studiuesja.  / Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Dilema/Për sa orë gjumë kemi nevojë?

Publikuar

-

Nga

Kur kemi qenë fëmijë, mund të kemi protestuar dhjetëra here, duke mos dashur të flejmë në drekë. Por si të rritur, e dimë se gjumi është jetik për mirëqenien tonë. Shekspiri e quante gjumin “banjën e ëmbël pas një pune raskapitëse, balsamin e mendjeve të lënduara, ushqimin kryesor në jetë”.

Përtej shprehjeve poetike, gjumi është shumë i rëndësishëm. Një studim i kohëve të fundit me 1.600 njerëz, mbështeti gjetjet e mëhershme se një gjumë i pamjaftueshëm, lidhet me mungesën e vëmendjes, dhe gjykime më të dobëta. Gjithashtu, dihet se mungesa e gjumit, mund të shkaktojë çrregullime bipolare. 

Dhe kemi mësuar së fundmi nga studiuesit në Suedi dhe Gjermani, se një gjumë i pamjaftueshëm, mund të ndikojë madje edhe në mikroflorën e zorrëve tona. Po për sa orë gjumë kemi realisht nevojë? Përgjigja më e zakonshme duket të jetë “8 orë”.  Por sasia e gjumit që na duhet, varet nga rezistenca biologjike dhe nevojat e trupit tonë. 

Udhëzuesi i Fondacionit Kombëtar të Gjumit në SHBA i vitit 2015, rekomandon për adoleshentët 8-10 orë në ditë, por në përgjithësi një diapazon që shtrihet midis 7-11 orëve. Për foshnjat e porsalindura, diapazoni i përshtatshëm është nga 11-18 orë. Për të rriturit, ai varion nga 7-9 orë, dhe për të moshuarit 5-9 orë. 

Pra siç shihet sasia e gjumit për një organizëm të shëndetshëm, ndryshon për grupe të ndryshme, dhe oraret ndryshojnë me kalimin e kohës. Si mund të përcaktoni orët tuaja të gjumit? Ja 3 këshilla praktike:

Këshilla e parë:Nëse jeni “të lodhur, por ende pa stakuar trurin”, gjumi mund t’ju zërë me vështirësi

Në këto kushte, duket sikur i gjithë problemi është se nuk flini mjaftueshëm. Por nëse do të ishit vërtet pa gjumë, tashmë do të ishit përgjumësh. Dhe po të ishit përgjumësh, do të ishit në gjendje të flinit shpejt. Ne i mendojmë si të ngjashme, por ka një dallim midis përgjumjes dhe lodhjes. 

Ne besojmë se lodhja mund të kurohet duke shkuar në shtrat më herët.

Por përpjekja për të fjetur me forcë kur truri juaj nuk është i përgjumur, është si të përpiqesh të biesh në dashuri me dikë që nuk thjesht nuk ju do. Ky sforcim, vetëm sa do t’ju shkaktojë ankth, para se të hiqni dorë. Prandaj, dëgjojeni trupin tuaj. Nëse jeni vërtet përgjumësh, shkoni në shtrat. Nëse jo, merrumi me diçka tjetër, derisa të vijë koha e duhur.

Këshilla e dytë:Nëse përgjumeni shpesh gjatë ditës, nuk po flini mjaftueshëm gjatë natës

Ka disa mënyra për ta korrigjuar këtë. Nëse keni kohë, vendoseni zilen tuaj në mëngjes 30 minuta më vonë, ose shtrihuni të flini 30 minuta më herët. Nëse ju zë gjumi brenda pak minutash, vazhdoni t’i jepni vetes më shumë kohë për të fjetur. 

Nëse tashmë keni mjaft kohë për të fjetur, por ndiheni ende të përgjumur gjatë ditës, mund të keni një çrregullim të gjumi, siç është apnea e gjumit ose narkolepsia. Për këtë mund të testoni veten me Shkallën e Gjumit Epworth. Nëse rezultati është 10 pikë ose më shumë, duhet të këshilloheni me mjekun, pasi këto çrregullime mund të sjellin rreziqe serioze për shëndetin tuaj. 

Këshilla e tretë:Mbani një orar konstant të kohës së gjumit 

Nuk ka të bëjë vetëm me orët që flini, por edhe me cilësinë e atyre orëve. Fjetja rregullisht 7 orë çdo natë, është shumë më e mirë sesa fletja një natë 4 orë, dhe të nesërmen 10 orë. Një orar i çregullt, mund të shkaktojë përgjumje gjatë ditës një dite, dhe pagjumësi ditën tjetër, çka e çorodit trupin tuaj. 

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për gjumin tuaj dhe funksionimin e ditës, është të zgjoheni çdo ditë në të njëjtën kohë. Mos u shqetësoni për vendosjen e një orari strikt fjetjeje.Sapo të futeni në rutinën e rregullt të gjumit dhe zgjimit, trupi juaj do t’ju njoftojë vetë kur duhet të shkoni në shtrat, duke ju bërë të flini gjumë në kohën e duhur./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse ndikon drita e Hënës së plotë mbi gjumin tonë?

Publikuar

-

Nga

Shumë njerëz thonë se kur Hëna është e plotë, ata qëndrojnë zgjuar, ose e kanë të vështirë të flenë normalisht. Tashmë një studim i fundit, i publikuar në revistën “Current Biology”, i mbështet pretendimet e tyre. Në një studim të vogël të 33 njerëzve, studiuesit zbuluan se fazat e Hënës, ndikojnë në cilësinë e gjumit tonë.

Për tre ditë e gjysmë, subjektet e studimit, që i përkisnin moshës 20-74 vjeç, u mblodhen në një laborator, ku u vëzhguan nivelet e hormoneve të tyre, si dhe modelet e gjumit. “Ne zbuluam se kur afron faza e Hënës së plotë, aktiviteti i elektroencefalogramik (EEG) gjatë gjumit NREM, një tregues i gjumit të thellë, ra me 30 për qind, teksa koha që i duhej subjekteve për të fjetur gjumë u rrit me 5 minuta.

Ndërkohë kohëzgjatja totale e gjumit e vlerësuar me EEG, ishte zvogëluar me 20 minuta. Këto ndryshime, u shoqëruan me një rënie të cilësisë subjektive të gjumit, si dhe me nivele të zvogëluara të melatoninës endogjene, shkruan autorët e studimit.

Duke ditur që njerëzit mund t’i mbajnë zgjuar edhe dritat ndriçuese në rrugë, ne mund të hamendësojmë se një Hënë e plotë, do të kishte në fakt një efekt të ngjashëm. Por pjesa më interesante e studimit, mund të jetë që shqetësimet e gjumit të lidhura me fazat e Hënës, duket se nuk kanë asnjë lidhje me dritën e Hënës.

Në fakt gjatë studimit, shkëlqimi i dritës së Hënës, nuk ishte një faktor ndikues. Subjektet që iu nënshtruan testimit, e kaluan kohën e eksperimentit në një dhomë pa dritare, dhe as që ishin në dijeni se të dhënat e mbledhura do të kishin ndonjë lidhje me fazat e hënës. (Në këtë mënyrë, mund të minimizohen perceptimet apo besimet personale në lidhje me ndikimin e Hënës në gjumin e tyre).

“Ne kemi prova që distanca me fazën më të afërt të Hënës së plotë, ndikon ndjeshëm në gjumin e njeriut, si dhe në nivelet e melatoninës në mbrëmje, kur ato maten në kushte laboratorike të kontrolluara rreptësisht, ku faktorë të tillë si drita dhe perceptimi personal i Hënës mund të përjashtohen si faktorë”- shkruajnë më tej autorët e studimit.

Si reagon trupi i njeriut ndaj diçkaje që nuk është as e dukshme? Një teori, është se kjo është një veti e së kaluarës sonë evolucionare. Ne e dimë që ciklet cirkadiane dhe riprodhuese të disa specieve, janë të lidhura me Hënën. Prandaj, edhe truri i njeriut mund të ketë një version të këtij tipari.

“Ne nuk e dimë nëse njerëzit e kanë ende atë, apo arsyen pse”- tha për CNN Kristian Kajohen nga Spitali Psikiatrik i Universitetit të Bazelit në Zvicër, autori kryesor i studimit. Ky efekt mund të ndryshojë nga burrat tek gratë, thekson një studim i ngjashëm i kryer pak kohë më parë në Angli.

Në atë studim, 205 njerëz u vëzhguan ndërsa flinin (gjithashtu në dhoma pa dritare) gjatë ciklit hënor. “Analizat e vëçanta për burrat dhe gratë, treguan se tek gratë koha totale e gjumit, Faza 4 e gjumit dhe gjumi REM, u zvogëluan kur gjumi përkonte me fazën e Hënës së plotë, ndërsa tek burrat kohëzgjatja e REM, u rrit rreth fazës së Hënës së plotë”- shkruan më tej autorët e këtij studimi.

Asnjë studim nuk është kryer mbi efektin që mund të ketë mosha apo rrethana të tjera mbi cilësinë e gjumit, në raport me fazat e Hënës. Prandaj ka ende shumë për të mësuar. Për ta kuptuar këtë fenomen, shkencëtarët do të duhet të mbledhin më shumë të dhëna nga më shumë njerëz dhe për një periudhë më të gjatë kohore.

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: