Connect with Us

Pse njerëzit bëjnë tatuazhe në trupat e tyre

Blog

Pse njerëzit bëjnë tatuazhe në trupat e tyre

Publikuar

-

Kur tatuazhet u shfaqën për herë të parë në vitet 1800, ato cilësoheshin si një shenjë e të qenurit një kriminel ose një devijant në shoqëri. Sot, ato janë bërë mëse të zakonshme. Sipas një vlerësimi, 38 përqind e të rriturve midis moshës 18-29 vjeç kanë të paktën një tatuazh.

Po çfarë i nxit disa njerëz të zgjedhin të bëjnë tatuazhe

Kjo pyetje u shqyrtua në një studim të fundit, të udhëhequr nga psikologia Luzel Node nga Universiteti i Shtetit të Lirë në Afrikën e Jugut. Ajo dhe bashkëpunëtorët e saj u përpoqën të kuptojnë se pse studentët zgjidhnin ose jo të bënin një tatuazh, si dhe perceptimet që kanë rreth tyre.

Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë mbi përvojat e tyre me tatuazhet, duke përfshirë nëse kishin ose jo një tatuazh, sa nga miqtë e tyre kishin një apo më shumë tatuazhe, arsyet që jepnin për tatuazhin që kishin bërë, apo edhe se çfarë mendonin mbi njerëzit që kanë tatuazhe. 

Rezultatet ishin të habitshme. Shumica e pjesëmarrësve (78.3 për qind) nuk kishin tatuazhe, dhe shumica e prindërve të tyre (92 për qind) nuk kishin tatuazhe. Sidoqoftë, shumica e miqve të pjesëmarrësve (74.3 për qind) kishin tatuazhe – dhe gati gjysma (46.9 për qind), po mendonin të bënin një tatuazh.

Arsyet që jepnin pjesëmarrësit për bërje ose jo të një tatuazhi, ishin përafërsisht të barabarta, me 47 për qind që u përgjigjen pozitivisht dhe 50 për qind negativisht. Motivimi kryesor që ata jepnin për pasjen e një tatuazhi (25 përqind), kishte të bënin me kuptimin e tij personal. Pjesëmarrësit raportuan arsye të tilla si “ruajtja e kujtimit të nënës sime”, “një mënyrë për të nderuar fëmijën tim të parë”, dhe një “përshkrim të asaj që kam kaluar në një periudhë të caktuar të jetës sime”. 

Disa pjesëmarrës në studim (12 për qind), u shprehën se tatuazhet ishin një shprehje se kush ishin ata. Siç deklaroi një i anketuar, “trupi im është një libër, tatuazhet janë historia ime”. Disa pjesëmarrës, raportuan gjithashtu se i cilësonin tatuazhet si një formë tërheqëse e artit.

Për pjesëmarrësit që vendosën të mos bënin tatuazhe, arsyet kryesore ishin faktorët socialë dhe kulturorë, dhe kryesisht fetarë (11 për qind). Një pjesëmarrës në studim u shpreh:“Unë jam një besimtar, ndaj trupi im është tempulli i Shpirtit të Shenjtë. Do të doja të mbaja atë të pastër”. 

Një tjetër u shpreh:”Unë jam i krishterë, dhe është në kundërshtim me fenë time ta trajtoj trupin e dikujt si një tempull”. Arsye të tjera për të hequr dorë nga një tatuazh, përfshinin mosmiratimin nga familja dhe miqtë, apo edhe pikëpamjet negative në vendin e punës. 

Pjesëmarrësit përmendën edhe arsyet mjekësore, frikën nga gjilpëra dhe dhimbja (10 për qind). Për më tepër, disa pjesëmarrës i konsideruan tatuazhet si aspak joshëse. Kur u pyetën”Cili është mendimi juaj mbi tatuazhet, dhe njerëzit me tatuazhe?”, shumica e pjesëmarrësve (54 për qind) kishin mendime pozitive, 18 për qind kishin ndjenja të përziera, 13 për qind kishin mendime negative, dhe 15 për qind nuk kishin asnjë mendim ose ishin indiferentë. 

Shumica e të anketuarve, respektuan preferencat e individëve me tatuazhe. Në mesin e atyre që kishin pikëpamje negative, pati nga ata që deklaruan se tatuazhet ishin të shëmtuara. Ngjashëm, ata i shihnin njerëzit me tatuazhe si të këqij, satanikë, të rrezikshëm, rebelë, të pabesë, të pamatur, jo profesionistë, si të lidhur me kriminalitetin dhe imoralë. 

Një i anketuar u shpreh:”Ata kanë bërë tatuazhe, për shkak se janë rebeluar, ose janë të keqinj”. Një tjetër u shpreh:”Ata duan të kenë një ndjenjë të përkatësisë, vëmendjes, dhe duan që të tjerët t’i kenë frikë”. Në mesin e atyre që kishin pikëpamje pozitive mbi njerëzit me tatuazhe, pati nga ata që i cilësonin tatuazhet si tërheqëse, në modë, interesante, spontane, kreativë, artistike, dhe që mbahen nga njerëzit me një shpirt të lirë, më mendjehapur, liberalë, aventurierë, trima, të forte dhe të guximshëm. 

Ndërkohë disa pjesëmarrës kishin “perceptime të kushtëzuara”. Kjo do të thotë, që ata mund të pranojnë tatuazhet në kushte të caktuara. Shumica ndiheshin komodë me tatuazhet, për aq kohë sa tatuazhi kishte një kuptim personal, ose ishte një mjet shprehjeje për tjetrin. 

Ndërkohë, kishin një pikëpamje me negative për tatuazhet, kur bëhet fjalë për profesionalizmin në punë. Nga ana tjetër, shumica e pjesëmarrësve në studim që kanë tatuazhe, nuk ndihen të shqetësuar nga paragjykimet. Siç u shpreh një pjesëmarrës:”Ata duhet t’i kapërcejnë paragjykimet e tyre. Me tatuazhe ka shumë njerëz të arsimuar dhe inteligjentë”. / Përshtatur nga CNA.al

KLIKO PER TE KOMENTUAR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Studimi/Pirja e paracetamolit gjatë shtatëzanisë, i bën fëmijët hiperaktivë, dhe u shkakton probleme me përqendrimin

Publikuar

-

Nga

Një studim i ri nga Universiteti i Bristolit në Britaninë e Madhe, u shtohet provave që lidhen me efektet e mundshme anësore nga pirja e e paracetamolit gjatë shtatëzanisë. Hulumtimi i botuar në revistën “Paediatric and Perinatal Epidemiology”, shqyrtoi nëse ka ndonjë ndikim mes pirjes së paracetamolit në mesin e shtatzënisë, dhe sjelljes së pasardhësve nga 6 muajsh në 11 vjeç, memories dhe nivelin të inteligjencës deri në moshën 17-vjeçare. 

Paracetamoli, përdoret zakonisht për të lehtësuar dhimbjen gjatë shtatzanisë, dhe rekomandohet si një kurë në shumë vende. Studiuesit e Universitetit të Bristol, shqyrtuan në studimin e tyre 14.000 fëmijë. Kur ishin në muajin e shtatë të shtatzanisë, 43 përqind e nënave të tyre, thanë se kishin pirë “ndonjëherë” ose më shpesh paracetamol gjatë 3 muajve të mëhershëm. 

Studiuesit ekzaminuan më pas rezultatet e nivelit të kujtesës së fëmijëve, nivelit të inteligjencës IQ, dhe testet e zhvillimit parashkollor, temperamentit dhe sjelljes. Ata gjetën një lidhje midis pirjes së paracetamolit dhe hiperaktivitetit, por edhe problemeve me përqëndrimin e fëmijëve, si dhe sjelljeve të tjera problematike tek fëmijët e vegjël.

Djemtë duket se ishin më të ndjeshëm se vajzat, ndaj efekteve të mundshme që ka në sjellë ky ilaç. Studimi u drejtua nga profesoresha Xhin Golding. Ajo tha se grupi mori 135 rezultate të ndryshme tek fëmijët e përfshirë në studim. 

“Nga 135 rezultatet që kemi shqyrtuar, ne gjetëm një lidhje me aftësinë njohëse. Ndërkohë 12 prej rezultateve, u shoqëruan me ndryshime në sjellje dhe temperament. Dhe këto lidhje nuk mund të shpjegohen me gjëra të tilla si dhimbja e kokës, shpinës, infeksionet, të ardhurat financiare dhe stili i jetesës. 

Në zbuluam se teksa fëmija rritej, kjo lidhje dobësohej. Ajo ishte më e fortë në mesin e fëmijëve 3-4 vjeç, por zhduket në moshën 8-vjeçare”- deklaroi ajo. Sipas drejtuesit së studimit, fakti që fëmijët i tejkaluan këto sjellje problematike është qetësues. Por ai shtron pyetjen, nëse do të kostatohen lidhje të tjera gjatë viteve të adoleshencës. 

Ndërkohë, sipas Golding është e arsyeshme të sugjerohet që gratë shtatzëna duhet të zvogëlojnë në maksimum konsumimin e ilaçeve, përfshirë ato pa recetë, aty ku është e mundur, pasi asnjë ilaç nuk mund të dëshmohet se është plotësisht i sigurtë për fëmijën, që ndodhet ende në barkun e nënës. “Është më rëndësi, që gjetjet tona të testohen në studime të tjera”- përfundoi studiuesja.  / Përshtatur nga CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Dilema/Për sa orë gjumë kemi nevojë?

Publikuar

-

Nga

Kur kemi qenë fëmijë, mund të kemi protestuar dhjetëra here, duke mos dashur të flejmë në drekë. Por si të rritur, e dimë se gjumi është jetik për mirëqenien tonë. Shekspiri e quante gjumin “banjën e ëmbël pas një pune raskapitëse, balsamin e mendjeve të lënduara, ushqimin kryesor në jetë”.

Përtej shprehjeve poetike, gjumi është shumë i rëndësishëm. Një studim i kohëve të fundit me 1.600 njerëz, mbështeti gjetjet e mëhershme se një gjumë i pamjaftueshëm, lidhet me mungesën e vëmendjes, dhe gjykime më të dobëta. Gjithashtu, dihet se mungesa e gjumit, mund të shkaktojë çrregullime bipolare. 

Dhe kemi mësuar së fundmi nga studiuesit në Suedi dhe Gjermani, se një gjumë i pamjaftueshëm, mund të ndikojë madje edhe në mikroflorën e zorrëve tona. Po për sa orë gjumë kemi realisht nevojë? Përgjigja më e zakonshme duket të jetë “8 orë”.  Por sasia e gjumit që na duhet, varet nga rezistenca biologjike dhe nevojat e trupit tonë. 

Udhëzuesi i Fondacionit Kombëtar të Gjumit në SHBA i vitit 2015, rekomandon për adoleshentët 8-10 orë në ditë, por në përgjithësi një diapazon që shtrihet midis 7-11 orëve. Për foshnjat e porsalindura, diapazoni i përshtatshëm është nga 11-18 orë. Për të rriturit, ai varion nga 7-9 orë, dhe për të moshuarit 5-9 orë. 

Pra siç shihet sasia e gjumit për një organizëm të shëndetshëm, ndryshon për grupe të ndryshme, dhe oraret ndryshojnë me kalimin e kohës. Si mund të përcaktoni orët tuaja të gjumit? Ja 3 këshilla praktike:

Këshilla e parë:Nëse jeni “të lodhur, por ende pa stakuar trurin”, gjumi mund t’ju zërë me vështirësi

Në këto kushte, duket sikur i gjithë problemi është se nuk flini mjaftueshëm. Por nëse do të ishit vërtet pa gjumë, tashmë do të ishit përgjumësh. Dhe po të ishit përgjumësh, do të ishit në gjendje të flinit shpejt. Ne i mendojmë si të ngjashme, por ka një dallim midis përgjumjes dhe lodhjes. 

Ne besojmë se lodhja mund të kurohet duke shkuar në shtrat më herët.

Por përpjekja për të fjetur me forcë kur truri juaj nuk është i përgjumur, është si të përpiqesh të biesh në dashuri me dikë që nuk thjesht nuk ju do. Ky sforcim, vetëm sa do t’ju shkaktojë ankth, para se të hiqni dorë. Prandaj, dëgjojeni trupin tuaj. Nëse jeni vërtet përgjumësh, shkoni në shtrat. Nëse jo, merrumi me diçka tjetër, derisa të vijë koha e duhur.

Këshilla e dytë:Nëse përgjumeni shpesh gjatë ditës, nuk po flini mjaftueshëm gjatë natës

Ka disa mënyra për ta korrigjuar këtë. Nëse keni kohë, vendoseni zilen tuaj në mëngjes 30 minuta më vonë, ose shtrihuni të flini 30 minuta më herët. Nëse ju zë gjumi brenda pak minutash, vazhdoni t’i jepni vetes më shumë kohë për të fjetur. 

Nëse tashmë keni mjaft kohë për të fjetur, por ndiheni ende të përgjumur gjatë ditës, mund të keni një çrregullim të gjumi, siç është apnea e gjumit ose narkolepsia. Për këtë mund të testoni veten me Shkallën e Gjumit Epworth. Nëse rezultati është 10 pikë ose më shumë, duhet të këshilloheni me mjekun, pasi këto çrregullime mund të sjellin rreziqe serioze për shëndetin tuaj. 

Këshilla e tretë:Mbani një orar konstant të kohës së gjumit 

Nuk ka të bëjë vetëm me orët që flini, por edhe me cilësinë e atyre orëve. Fjetja rregullisht 7 orë çdo natë, është shumë më e mirë sesa fletja një natë 4 orë, dhe të nesërmen 10 orë. Një orar i çregullt, mund të shkaktojë përgjumje gjatë ditës një dite, dhe pagjumësi ditën tjetër, çka e çorodit trupin tuaj. 

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për gjumin tuaj dhe funksionimin e ditës, është të zgjoheni çdo ditë në të njëjtën kohë. Mos u shqetësoni për vendosjen e një orari strikt fjetjeje.Sapo të futeni në rutinën e rregullt të gjumit dhe zgjimit, trupi juaj do t’ju njoftojë vetë kur duhet të shkoni në shtrat, duke ju bërë të flini gjumë në kohën e duhur./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse ndikon drita e Hënës së plotë mbi gjumin tonë?

Publikuar

-

Nga

Shumë njerëz thonë se kur Hëna është e plotë, ata qëndrojnë zgjuar, ose e kanë të vështirë të flenë normalisht. Tashmë një studim i fundit, i publikuar në revistën “Current Biology”, i mbështet pretendimet e tyre. Në një studim të vogël të 33 njerëzve, studiuesit zbuluan se fazat e Hënës, ndikojnë në cilësinë e gjumit tonë.

Për tre ditë e gjysmë, subjektet e studimit, që i përkisnin moshës 20-74 vjeç, u mblodhen në një laborator, ku u vëzhguan nivelet e hormoneve të tyre, si dhe modelet e gjumit. “Ne zbuluam se kur afron faza e Hënës së plotë, aktiviteti i elektroencefalogramik (EEG) gjatë gjumit NREM, një tregues i gjumit të thellë, ra me 30 për qind, teksa koha që i duhej subjekteve për të fjetur gjumë u rrit me 5 minuta.

Ndërkohë kohëzgjatja totale e gjumit e vlerësuar me EEG, ishte zvogëluar me 20 minuta. Këto ndryshime, u shoqëruan me një rënie të cilësisë subjektive të gjumit, si dhe me nivele të zvogëluara të melatoninës endogjene, shkruan autorët e studimit.

Duke ditur që njerëzit mund t’i mbajnë zgjuar edhe dritat ndriçuese në rrugë, ne mund të hamendësojmë se një Hënë e plotë, do të kishte në fakt një efekt të ngjashëm. Por pjesa më interesante e studimit, mund të jetë që shqetësimet e gjumit të lidhura me fazat e Hënës, duket se nuk kanë asnjë lidhje me dritën e Hënës.

Në fakt gjatë studimit, shkëlqimi i dritës së Hënës, nuk ishte një faktor ndikues. Subjektet që iu nënshtruan testimit, e kaluan kohën e eksperimentit në një dhomë pa dritare, dhe as që ishin në dijeni se të dhënat e mbledhura do të kishin ndonjë lidhje me fazat e hënës. (Në këtë mënyrë, mund të minimizohen perceptimet apo besimet personale në lidhje me ndikimin e Hënës në gjumin e tyre).

“Ne kemi prova që distanca me fazën më të afërt të Hënës së plotë, ndikon ndjeshëm në gjumin e njeriut, si dhe në nivelet e melatoninës në mbrëmje, kur ato maten në kushte laboratorike të kontrolluara rreptësisht, ku faktorë të tillë si drita dhe perceptimi personal i Hënës mund të përjashtohen si faktorë”- shkruajnë më tej autorët e studimit.

Si reagon trupi i njeriut ndaj diçkaje që nuk është as e dukshme? Një teori, është se kjo është një veti e së kaluarës sonë evolucionare. Ne e dimë që ciklet cirkadiane dhe riprodhuese të disa specieve, janë të lidhura me Hënën. Prandaj, edhe truri i njeriut mund të ketë një version të këtij tipari.

“Ne nuk e dimë nëse njerëzit e kanë ende atë, apo arsyen pse”- tha për CNN Kristian Kajohen nga Spitali Psikiatrik i Universitetit të Bazelit në Zvicër, autori kryesor i studimit. Ky efekt mund të ndryshojë nga burrat tek gratë, thekson një studim i ngjashëm i kryer pak kohë më parë në Angli.

Në atë studim, 205 njerëz u vëzhguan ndërsa flinin (gjithashtu në dhoma pa dritare) gjatë ciklit hënor. “Analizat e vëçanta për burrat dhe gratë, treguan se tek gratë koha totale e gjumit, Faza 4 e gjumit dhe gjumi REM, u zvogëluan kur gjumi përkonte me fazën e Hënës së plotë, ndërsa tek burrat kohëzgjatja e REM, u rrit rreth fazës së Hënës së plotë”- shkruan më tej autorët e këtij studimi.

Asnjë studim nuk është kryer mbi efektin që mund të ketë mosha apo rrethana të tjera mbi cilësinë e gjumit, në raport me fazat e Hënës. Prandaj ka ende shumë për të mësuar. Për ta kuptuar këtë fenomen, shkencëtarët do të duhet të mbledhin më shumë të dhëna nga më shumë njerëz dhe për një periudhë më të gjatë kohore.

LEXO TE PLOTE