Showbizz
“Jeta vazhdon, por s’është njësoj pa ty”/ Dy vite pas vdekjes, gazetari shqiptar përlot me dedikimin për Adela Xhamanin

Vdekja e ish banores së Big Brother, Adela Xhamani rreth dy vite më parë tronditi opinionin publik, kur ajo u gjet e pajetë në banesë pasi kishte kaluar arrest kardiak.
Por sot, miku i saj më i ngushtë, Eraldo Rexho nuk ka harruar ta kujtojë duke shkruar rradhë të gjata për kohët që ata kanë kaluar së bashku.
Përmes një video ku shihet Adela dhe Eraldo duke kënduar brenda ambientit të zyrës ku ato punonin, Eraldo shkruan:
“Vitet nuk e zbehin dhimbjen… Na paskan gënjyer Adela, koha nuk shëroka çdo plagë! Ikja jote dhemb njësoj, edhe sot, si çdo ditë. Gjithçka na ka mbetur tani janë kujtimet. Të gjejmë në memorien e ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, në galerinë e fotove në i-phone, në videot e shkarkuar në kompjuter, në një kërkim në ‘Youtube’, në një rikthim tek bisedat e ‘Whatsapp’… Në zyrën 40 metra katrorë, rrethuar nga orenditë që i zgjodhëm bashkë, në kolltukun ku bënim muhabetet e ditës, në tavolinën ku thurnim plane. Ti je gjithandej! Je te 21-shi, tek rruga e Kavajës, tek Blloku, në Shkozë, Kombinat e Kinostudio, je tek eventi i fundit, ku ishim dje. Jeta vazhdon, por s’është njësoj pa ty. Sepse na paskan gënjyer edhe kur na kanë thënë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. E di që në rastet e humbjeve të përhershme nuk ka vend për këtë krahasim, por unë ende po kërkoj për një bashkëpunëtore si ty. Kam rreth vetes, plot miq e bashkëpunëtorë të tjerë, të rinj e të vjetër, por nuk po e gjej Adelën.
Adelën që këndonte çdo ditë me mua, e që do të jetë gjithnjë në zemrën time. Të duam shumë dhe na mungon pafund #KurrëNukTëHarroj #PërgjithmonëAdela #2VjetPaTy”, përfundon Eraldo në statusin që i përloti të gjithë./CNA.al