Life Style
Forcon kockat dhe lufton inflamacionin/Zbuloni disa nga benefitet rreth rukolës që nuk i dinit

Rukola është një barishte me dhunti të shumta për shëndetin e mirë. Ajo përdoret kryesisht në sallata, por edhe mund të gatuhet krahas perimeve të tjera. Sipas shqiptarët e kanë kultivuar rukolën pas viteve 90’, ndërkohë që vendet e tjera të Mesdheut e kanë kultivuar këtë barishte prej më shumë kohësh.
Rukola Për Uljen e Tensionit të Gjakut
Rukola është një nga burimet më të pasura të nitrateve dhe përmban gjashtë herë më shumë nitrate se sallata jeshile. Kjo është diçka shumë e mirë për organizmin. Sipas ekspertëve, kur hyn në trup, nitratet transformohen në një substancë që ka aftësinë të hapë enët e gjakut dhe të lehtësojë qarkullimin e tij. Në këtë mënyrë, rukola ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut.
Përveç tensionit të gjakut, kjo barishte ndihmon edhe në uljen e nivelit të kolesterolit. Ajo përmban vitaminën B5 e cila njihet për aftësinë që ka në uljen e nivelit të kolesterolit të keq dhe mirëmbajtjen e nivelit të kolesterolit të mirë. Sipas “Agroweb”, rukola përmban vitaminë K që lufton inflamacionin dhe forcon shëndetin e kockave, duke parandaluar në të njëjtën mënyrë edhe shfaqjen dhe zhvillimin e artritit. Një vlerë e shtuar e vitaminës K është edhe ndihma që i jep organizmit për të përthithur kalçiumin, duke i dhënë një mbështetje të fortë personave që vuajnë nga osteoartriti.
Si ta Përfshini më Shumë rukolën në Ushqimin Tuaj
Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të përpiqeni të hani rukola të paktën 2 herë në javë.
• Shtojeni në salca të ndryshme për të përfituar shijen e mprehtë dhe therëse.
• Përdoreni me produkte deti të gatuara në zgarë.
• Prijeni hollë dhe hidheni në pica ose makarona përpara se t’i servirni.
• Përdoreni në sallatë krah barishteve të tjera për një shije të shumëfishtë.
• Përgatisni panine me djathë, rukola dhe domate.
• Prijeni hollë dhe përdoreni në omletë, ose me djathë dhe patate të pjekur në furrë.
• Shtojeni në përzierjet dhe shtrydhjet e frutave dhe perimeve për një lëng me shumë vlera.
• Shtojeni në perimet e kavërdisura, makarona, supa, dhe salca.