Kuriozitete
Traditat dhe ritet e Vitit të Ri në vende të ndryshme të botës

Skoci
Në Skoci, personi i parë që kalon pragun e derës së një skocezi paracakton fatin që do të ketë ai në vitin e ardhshëm. Ndaj, vizitorët e parë në shtëpinë e skocezëve sjellin me vete dhurata, kryesisht, uiski.
Rumani
Mund të keni dëgjuar për ‘leximin e gjetheve të çajit’. Po për atë të qepëve? Disa njerëz në Rumani qërojnë lëvozhgat e qepës më 31 dhjetor, dhe më pas përpiqen të lexojnë në to atë çfarë u është parashkruar për vitin pasardhës.
Danimarkë
Sa më shumë qelqe të thyera të gjesh tek pragu i derës, aq më shumë të duan, në Danimarkë. Për të festuar Vitin e Ri, banorët thyejnë pjata dhe gota në pragjet e dyerve e miqve apo të afërmve që u pëlqejnë më shumë.
Kili
Nëse dëshiron një vit të begatë në Kili, atëherë bën mirë të gatuash thjerrëza për darkë. Kilianët hanë të paktën një lugë nga gjella me thjerrëza në mesnatë, për të ndjellë një vit të ri me sa më shumë punë. Po, punë. Sepse puna nënkupton para.
Irlandë
Irlandezët e festojnë Vitin e Ri duke goditur murin me simitet e bukës; një lëvizje që besohet se largon shpirtrat e ligë.
Argjentinë
Mos guxo të të zërë gjumi në natën e ndërrimit të viteve në Argjentinë! Sepse, nëse befas zgjohesh kur ora të jetë 12 dhe nga përgjumja e bën hapin e parë me këmbën e majtë, do të jetë një vit i tmerrshëm! Në mesnatë, argjentinasit bëjnë kujdes që hapi i parë që hedhin në vitin e ri, të jetë me këmbën e djathtë.
Belgjikë
T’u urosh vitin e ri miqve dhe të afërmve, nuk do të thotë gjë, nëse je në Belgjikë. Atje duhet t’u japësh bekimet edhe qenieve të tjera të gjalla, mbi të gjitha bagëtive. Arsyeja? E thjeshtë. Nuk do të donit të kishit një lopë të pamotivuar për të bërë qumësht! Ky zakon besohet të sjellë begati dhe mirëqenie.
Kolumbi
Nëse keni një shpirt aventurier, Kolumbia është vendi i duhur për ju. Për Vit të Ri, banorët ecin nëpër lagje duke tërhequr pas një valixhe bosh, si një rit për të ndjellë një vit të ri plot aventura!
Peru
Banorët e provincës së Chumbivilcas-it në Peru, marrin pjesë në atë që quhet ‘Takanakuy’, një ndeshje me grushte mes fqinjësh. Njerëzit ndeshen fizikisht për të nxjerrë inatet e vitit që po mbaron gjatë një festivali që zgjat gjithë ditën e 25 dhjetorit, për t’a nisur vitin e ri, pa mllefe!
Zvicër
Qytetarët zviceranë e mirëpresin vitin e ri duke hedhur në tokë një kaush me akullore. Por ky nuk është një shpërdorim; është një zakon që thuhet se sjell begati në vitin që sapo ka nisur.
Bolivi
Ngjyra e të brendshmeve është paracaktuese e fatit që ju pret në vitin e ri, të paktën kështu është në Bolivi. Një palë të brendshme të kuqe thuhet se ju sjellin dashuri, ndërsa një palë në ngjyrë floriri ju sjellin mirëqenie dhe pasuri për 12 vitet e ardhshme. Mos guxoni të vishni të zeza!/ CNA.al